Wednesday, December 3, 2014

Po ndodh në Londrën e mbretëreshës! Kryetari Bashkisë propozon; E shtuna pushim per makinat!



Po ndodh në Londrën e mbretëreshës! Kryetari Bashkisë propozon; E shtuna pushim per makinat!

Boris Johnson ka vendosur të lehtësojë trafikun që ka pushtuar rrugët e qytetit, përmes një nisme që synon të ndalojë qarkullimin e makinave për të paktën një ditë në jave, të shtunën!

Parashikimi për trafikun nuk duket të jetë edhe aq joshës : sipas RAC mendohet se brënda 20 vitesh, Mbretëria e Bashkuar do të numerojë 7 milionë shoferë të rinj. Përballë kësaj situate Boris Johnson, avokat dhe ciklist I apasionuar, po mendon seriozisht mbi mundësinë e ndalim qarkullimit të makinave, ne Londër gjatë ditës së diel.

Duke ndjekur shembullin e Xhakartës, ku kjo ndalesë nis në oren 18:00 cdo të diel, Johnson thotë se kjo është krejtësisht e mundur në një vend si Londra : qytet ky, I cili vec vitin e fundit e ka ulur maksimumin e shpejtësisë për makinat ne 32km/ore e vazhdon të investojë në infrastrukturën dedikuar dyrrotakut me segmente të reja ciklistike.

Ndërkaq qeveria britanike pret të investoje rreth 15 bilion paund në rrugë të reja, 214 milionë nga të cilat, për të promovuar ciklizmin urban!

Tuesday, December 2, 2014

Kemi vetëm një shans për të bërë revolucionin e biçikletave!

Ndryshimi i vërtetë në lëvizshmëri do guxim, por mbi të gjitha një plan dhe një financim.  Është koha të heqim pengesat për një brez të tërë çiklistësh dhe mbi të gjitha për fëmijët të cilët nuk kanë kurkund një vënd për të mësuar dhe pedaluar biçikletën.
Kjo do të thotë një qytet ku hapësirat e biçikletës nuk janë më pak se vëndet e tjera europiane, një ambicie e qartë politike për të ndryshuar mënyrën e lëvizjes në qytet. Kush nuk do të donte që fëmijët e tyre të jetonin në një vend si Hollanda apo Danimarka, të rriteshin shëndetshëm dhe të sigurt në një qytet ku jetohet e jo mbijetohet?


Në një qytet si Tirana ku perimetri i brendshëm i punëve dhe i lëvizjes nuk i kalon 3-5 km është dëm i madh mjedisor, shëndetësor dhe ekonomik të sorrollatesh me makinë. Brezi i sotshëm mund të jetë ndoshta dhe i pari mbas shumë dekadash që të ketë jetëgjatësi më të shkurtër se prindërit  e tyre, për shkak të mungesës së aktivitetit fizik dhe cilësisë të dobët të mjedisit dhe jetesës në qytetet Shqiptare.

Kjo nuk është vetëm një e keqe për qytetarët, por mbi të gjitha për ekonominë. Të jesh më pro mjedisor sot do të thotë të jesh dhe më i thjeshtë, të lëvizësh më shumë me këmbë a biçikletë sesa me makinë, të përdorësh më shumë burimet falas të energjisë si diellin që ne e kemi me shumicë sesa të paguash faturat e kripura të energjisë pa fashë.
Të gjitha sëmundjet që shoqërojnë ndotjen e ajrit, mungesën e aktivitetit fizik dhe cilësinë e dobët të  jetesës në qytetet tona, na kushtojnë disa vite jetë, miliarda para në sistemin shëndetësor që për dreq as nuk e kemi apo medikamente që mund ti evitonim. Të gjithë e dimë cdo të thotë të rrisësh një fëmijë në Tiranë. Asmat, bllokimet e vazhdueshme, frymëmarrja e tmerrshme që si rrallë në qytete të tjera na lë zgjuar me nafazolinën në dorë. Për të mos përmendur një qytet aspak të njerëzve sesa të makinave, me fëmijët mbyllur në shtëpi apo apartamente lojërash.

Qartaz kjo nuk është një thirrje për të bërë aktivitet fizik,as për të ngrënë më pak, për të ndërruar filtrat e makinës apo për të zgjedhur naftën më të mirë. Zgjidhjet afatshkurtra, pa vizion, sajuar për ata pak qytetarë apatik  janë thellimi i gropës ku jemi futur. Zgjidhja është para syve tanë e shohim dhe e ëndërrojmë sa herë dalim nga gropa.
Zgjidhja e tërë qyteteve të qëndrueshme, miqësore ndaj mjedisit dhe qytetarëve të vetë është te lëvizshmëria!  Në Hollandë, Danimarkë, Zvicër ku 30-40 % e lëvizjeve brenda qytetit kryhen me bicikletë, 50 % e fëmijëve shkojnë në shkolla mbi bicikletë, nuk janë duke ushtruar thjesht aktivitet fizik, por kanë revolucionizuar tashmë lëvizshmërinë, ekonominë, jetën sociale dhe mjedisin e qyteteve të tyre.
Pyet një prind sot; “A do e donte këtë për fëmijët e tij?”, Do të thotë jo? Ti do të thoje jo? Do të votoje JO, do të paguaje për të? Apo jo?

Është e vërtetë se financat janë shtrënguar por ajo që po kërkojmë është vetëm një pjesë e vogël e fondit prej 40.39 miliardë Lekë të rrugëve, në korsi bicikletash të cilat e kanë dëshmuar se na kthejnë mbrapsht më të mirën e një investimi, cilësi jetese, qytete të qëndrueshme, afërsi me ëndrrën europiane. Studimet e të gjitha qeverive europiane kanë konfirmuar se investimi në korsitë e bicikletave ka një raport unik; JEP 1 MERR 5!!! Kush formë tjetër e transportit të jep këtë lloj shpagimi???
Biçikleta është e vetmja formë e transportit të mekanizuar që siguron fitim neto për shoqërinë tonë! Ne jemi i vetmi shtet në rajon që nuk kemi një plan dhe as nuk e kemi në plan planin. Me gjithë përfitimet ekonomike, shoqërore dhe mjedisore të bicikletës, politikanët tanë janë të parët që japin shembullin e rëndomë të kapardisjes nëpër makina! Ndonëse revolucioni i makinave ka përfunduar prej dekadash, akoma lexojmë cmendurira per Benzin 7000-sh te njerit e 5000 te tjetrit.
Në 25 vite nuk kemi parë e dëgjuar një politikë a një politikan të flasi për lëvizshmërinë, për qytetet e qëndrueshme, aq më pak të planifikojnë fonde për të realizuar revolucionin e domosdoshëm të biçikletave! Nëse vetë qeveria fle mbi makina c’duhet të presim nga pushteti lokal?

Dhe unë kam një makinë dhe nuk jam fanatik i biçikletës, por jam pro logjikës dhe fakteve se mënyra se si ne zgjedhim të lëvizimi është shërimi i një qyteti të “sëmurë”, që po rrit breza po aq të sëmurë! Sado dramatike mund të tingëllojë kjo, unë  besoj se ne kemi forcën për të ndryshuar tani këtë zhvillim anormal, që nesër të ndihemi krenar para fëmijëve tanë!


B si Biçikleta! Libri plot vizatime dhe udhetime me bicikleta!

"B si Biçikleta ": libri më i veçantë për fëmijët!

B-ja është për biçikletat!
Dy qentë dhe një biçikletë janë yjet e këtij libri mjaft interesant për fëmijët i cili përmes shkronjave të alfabetit ka qëllim promovimin e bicikletës te fëmijët.
Libri plot vizatime dhe udhëtime me bicikleta i fton fëmijët në disa aventura mbi bicikletë. Një udhëtim i ri për çdo shkronje të alfabetit, kombinuar mes dy personazheve dhe bicikletës së tyre.
Përgjegjësit e këtij projekti janë pronarët e një dyqani bicikletash, të cilët donin ti dhuronin fëmijës së tyre një libër që kishte bicikletën si protagonist.  Dy qentë protagonist të këtij libri janë gjithashtu kafshët  më të dashura për pronarin e dyqanit dhe inisiatorin e këtij projekti.

“B si biçikleta”
"Ne duam të tregojmë përfitimet e mëdha të çiklizmit: shëndetin, lirinë, pavarësinë, vetë-mbështetjen, besimin dhe respektin për mjedisin", shpjegojnë botuesit e këtij libri të rrallë. "Ne duam që prindërit dhe fëmijët bashkë të bien në dashuri me këto karaktere dhe ta vlerësojmë si duhet këtë mjet të jashtëzakonshëm të lëvizjes.



Por më shumë se një mjet transporti, biçikletën e shohim si një mënyrë tejet të shëndetshme të jetesës që promovon ushtrim fizik (pasi obeziteti te fëmijët në SHBA është trefishuar në tri dekadat e fundit), aktivitet fizik i domosdoshëm në shoqërinë e sotshme,  ku teknologjia duket se i ka marrë të gjithë kohën fëmijëve duke i lënë pak mundësi për bicikletën.