Ndryshimi i vërtetë në lëvizshmëri do guxim, por mbi të
gjitha një plan dhe një financim. Është
koha të heqim pengesat për një brez të tërë çiklistësh dhe mbi të gjitha për fëmijët
të cilët nuk kanë kurkund një vënd për të mësuar dhe pedaluar biçikletën.
Kjo do të thotë një qytet ku hapësirat e biçikletës nuk janë
më pak se vëndet e tjera europiane, një ambicie e qartë politike për të
ndryshuar mënyrën e lëvizjes në qytet.
Kush nuk do të donte që fëmijët e tyre të jetonin në një vend si
Hollanda apo Danimarka, të rriteshin shëndetshëm dhe të sigurt në një qytet ku
jetohet e jo mbijetohet?
Në një qytet si Tirana ku perimetri i brendshëm i punëve dhe
i lëvizjes nuk i kalon 3-5 km është dëm i madh mjedisor, shëndetësor dhe
ekonomik të sorrollatesh me makinë. Brezi i sotshëm mund të jetë ndoshta dhe i
pari mbas shumë dekadash që të ketë jetëgjatësi më të shkurtër se prindërit e tyre, për shkak të mungesës së aktivitetit
fizik dhe cilësisë të dobët të mjedisit dhe jetesës në qytetet Shqiptare.
Kjo nuk është vetëm një e keqe për qytetarët, por mbi të gjitha për ekonominë. Të jesh më pro mjedisor sot do të thotë të jesh dhe më i thjeshtë, të lëvizësh më shumë me këmbë a biçikletë sesa me makinë, të përdorësh më shumë burimet falas të energjisë si diellin që ne e kemi me shumicë sesa të paguash faturat e kripura të energjisë pa fashë.
Kjo nuk është vetëm një e keqe për qytetarët, por mbi të gjitha për ekonominë. Të jesh më pro mjedisor sot do të thotë të jesh dhe më i thjeshtë, të lëvizësh më shumë me këmbë a biçikletë sesa me makinë, të përdorësh më shumë burimet falas të energjisë si diellin që ne e kemi me shumicë sesa të paguash faturat e kripura të energjisë pa fashë.
Të gjitha sëmundjet që shoqërojnë ndotjen e ajrit, mungesën e
aktivitetit fizik dhe cilësinë e dobët të jetesës në qytetet tona, na kushtojnë disa vite
jetë, miliarda para në sistemin shëndetësor që për dreq as nuk e kemi apo
medikamente që mund ti evitonim. Të gjithë e dimë cdo të thotë të rrisësh një fëmijë
në Tiranë. Asmat, bllokimet e vazhdueshme, frymëmarrja e tmerrshme që si rrallë
në qytete të tjera na lë zgjuar me nafazolinën në dorë. Për të mos përmendur një
qytet aspak të njerëzve sesa të makinave, me fëmijët mbyllur në shtëpi apo
apartamente lojërash.
Qartaz kjo nuk është një thirrje për të bërë aktivitet fizik,as
për të ngrënë më pak, për të ndërruar filtrat e makinës apo për të zgjedhur naftën
më të mirë. Zgjidhjet afatshkurtra, pa vizion, sajuar për ata pak qytetarë apatik
janë thellimi i gropës ku jemi futur.
Zgjidhja është para syve tanë e shohim dhe e ëndërrojmë sa herë dalim nga
gropa.
Zgjidhja e tërë qyteteve të qëndrueshme, miqësore ndaj
mjedisit dhe qytetarëve të vetë është te lëvizshmëria! Në Hollandë, Danimarkë, Zvicër ku 30-40 % e lëvizjeve
brenda qytetit kryhen me bicikletë, 50 % e fëmijëve shkojnë në shkolla mbi
bicikletë, nuk janë duke ushtruar thjesht aktivitet fizik, por kanë
revolucionizuar tashmë lëvizshmërinë, ekonominë, jetën sociale dhe mjedisin e
qyteteve të tyre.
Pyet një prind sot; “A do e donte këtë për fëmijët e tij?”,
Do të thotë jo? Ti do të thoje jo? Do të votoje JO, do të paguaje për të? Apo
jo?
Është e vërtetë se financat janë shtrënguar por ajo që po kërkojmë
është vetëm një pjesë e vogël e fondit prej 40.39 miliardë Lekë të rrugëve, në
korsi bicikletash të cilat e kanë dëshmuar se na kthejnë mbrapsht më të mirën e
një investimi, cilësi jetese, qytete të qëndrueshme, afërsi me ëndrrën
europiane. Studimet e të gjitha qeverive europiane kanë konfirmuar se investimi
në korsitë e bicikletave ka një raport unik; JEP 1 MERR 5!!! Kush formë tjetër
e transportit të jep këtë lloj shpagimi???
Biçikleta është e vetmja formë e transportit të mekanizuar që
siguron fitim neto për shoqërinë tonë! Ne jemi i vetmi shtet në rajon që nuk
kemi një plan dhe as nuk e kemi në plan planin. Me gjithë përfitimet ekonomike,
shoqërore dhe mjedisore të bicikletës, politikanët tanë janë të parët që japin shembullin
e rëndomë të kapardisjes nëpër makina! Ndonëse revolucioni i makinave ka përfunduar
prej dekadash, akoma lexojmë cmendurira per Benzin 7000-sh te njerit e 5000 te
tjetrit.
Në 25 vite nuk kemi parë e dëgjuar një politikë a një
politikan të flasi për lëvizshmërinë, për qytetet e qëndrueshme, aq më pak të
planifikojnë fonde për të realizuar revolucionin e domosdoshëm të biçikletave!
Nëse vetë qeveria fle mbi makina c’duhet të presim nga pushteti lokal?
Dhe unë kam një makinë dhe nuk jam fanatik i biçikletës, por
jam pro logjikës dhe fakteve se mënyra se si ne zgjedhim të lëvizimi është shërimi
i një qyteti të “sëmurë”, që po rrit breza po aq të sëmurë! Sado dramatike mund
të tingëllojë kjo, unë besoj se ne kemi
forcën për të ndryshuar tani këtë zhvillim anormal, që nesër të ndihemi krenar
para fëmijëve tanë!




No comments:
Post a Comment