Showing posts with label bicikleta sherimi. Show all posts
Showing posts with label bicikleta sherimi. Show all posts

Tuesday, December 2, 2014

Kemi vetëm një shans për të bërë revolucionin e biçikletave!

Ndryshimi i vërtetë në lëvizshmëri do guxim, por mbi të gjitha një plan dhe një financim.  Është koha të heqim pengesat për një brez të tërë çiklistësh dhe mbi të gjitha për fëmijët të cilët nuk kanë kurkund një vënd për të mësuar dhe pedaluar biçikletën.
Kjo do të thotë një qytet ku hapësirat e biçikletës nuk janë më pak se vëndet e tjera europiane, një ambicie e qartë politike për të ndryshuar mënyrën e lëvizjes në qytet. Kush nuk do të donte që fëmijët e tyre të jetonin në një vend si Hollanda apo Danimarka, të rriteshin shëndetshëm dhe të sigurt në një qytet ku jetohet e jo mbijetohet?


Në një qytet si Tirana ku perimetri i brendshëm i punëve dhe i lëvizjes nuk i kalon 3-5 km është dëm i madh mjedisor, shëndetësor dhe ekonomik të sorrollatesh me makinë. Brezi i sotshëm mund të jetë ndoshta dhe i pari mbas shumë dekadash që të ketë jetëgjatësi më të shkurtër se prindërit  e tyre, për shkak të mungesës së aktivitetit fizik dhe cilësisë të dobët të mjedisit dhe jetesës në qytetet Shqiptare.

Kjo nuk është vetëm një e keqe për qytetarët, por mbi të gjitha për ekonominë. Të jesh më pro mjedisor sot do të thotë të jesh dhe më i thjeshtë, të lëvizësh më shumë me këmbë a biçikletë sesa me makinë, të përdorësh më shumë burimet falas të energjisë si diellin që ne e kemi me shumicë sesa të paguash faturat e kripura të energjisë pa fashë.
Të gjitha sëmundjet që shoqërojnë ndotjen e ajrit, mungesën e aktivitetit fizik dhe cilësinë e dobët të  jetesës në qytetet tona, na kushtojnë disa vite jetë, miliarda para në sistemin shëndetësor që për dreq as nuk e kemi apo medikamente që mund ti evitonim. Të gjithë e dimë cdo të thotë të rrisësh një fëmijë në Tiranë. Asmat, bllokimet e vazhdueshme, frymëmarrja e tmerrshme që si rrallë në qytete të tjera na lë zgjuar me nafazolinën në dorë. Për të mos përmendur një qytet aspak të njerëzve sesa të makinave, me fëmijët mbyllur në shtëpi apo apartamente lojërash.

Qartaz kjo nuk është një thirrje për të bërë aktivitet fizik,as për të ngrënë më pak, për të ndërruar filtrat e makinës apo për të zgjedhur naftën më të mirë. Zgjidhjet afatshkurtra, pa vizion, sajuar për ata pak qytetarë apatik  janë thellimi i gropës ku jemi futur. Zgjidhja është para syve tanë e shohim dhe e ëndërrojmë sa herë dalim nga gropa.
Zgjidhja e tërë qyteteve të qëndrueshme, miqësore ndaj mjedisit dhe qytetarëve të vetë është te lëvizshmëria!  Në Hollandë, Danimarkë, Zvicër ku 30-40 % e lëvizjeve brenda qytetit kryhen me bicikletë, 50 % e fëmijëve shkojnë në shkolla mbi bicikletë, nuk janë duke ushtruar thjesht aktivitet fizik, por kanë revolucionizuar tashmë lëvizshmërinë, ekonominë, jetën sociale dhe mjedisin e qyteteve të tyre.
Pyet një prind sot; “A do e donte këtë për fëmijët e tij?”, Do të thotë jo? Ti do të thoje jo? Do të votoje JO, do të paguaje për të? Apo jo?

Është e vërtetë se financat janë shtrënguar por ajo që po kërkojmë është vetëm një pjesë e vogël e fondit prej 40.39 miliardë Lekë të rrugëve, në korsi bicikletash të cilat e kanë dëshmuar se na kthejnë mbrapsht më të mirën e një investimi, cilësi jetese, qytete të qëndrueshme, afërsi me ëndrrën europiane. Studimet e të gjitha qeverive europiane kanë konfirmuar se investimi në korsitë e bicikletave ka një raport unik; JEP 1 MERR 5!!! Kush formë tjetër e transportit të jep këtë lloj shpagimi???
Biçikleta është e vetmja formë e transportit të mekanizuar që siguron fitim neto për shoqërinë tonë! Ne jemi i vetmi shtet në rajon që nuk kemi një plan dhe as nuk e kemi në plan planin. Me gjithë përfitimet ekonomike, shoqërore dhe mjedisore të bicikletës, politikanët tanë janë të parët që japin shembullin e rëndomë të kapardisjes nëpër makina! Ndonëse revolucioni i makinave ka përfunduar prej dekadash, akoma lexojmë cmendurira per Benzin 7000-sh te njerit e 5000 te tjetrit.
Në 25 vite nuk kemi parë e dëgjuar një politikë a një politikan të flasi për lëvizshmërinë, për qytetet e qëndrueshme, aq më pak të planifikojnë fonde për të realizuar revolucionin e domosdoshëm të biçikletave! Nëse vetë qeveria fle mbi makina c’duhet të presim nga pushteti lokal?

Dhe unë kam një makinë dhe nuk jam fanatik i biçikletës, por jam pro logjikës dhe fakteve se mënyra se si ne zgjedhim të lëvizimi është shërimi i një qyteti të “sëmurë”, që po rrit breza po aq të sëmurë! Sado dramatike mund të tingëllojë kjo, unë  besoj se ne kemi forcën për të ndryshuar tani këtë zhvillim anormal, që nesër të ndihemi krenar para fëmijëve tanë!


Tuesday, October 21, 2014

Pse fëmijët janë më të rrezikuar se të rriturit nga ndotja e ajrit!

Tashmë të gjithë jemi të vetëdijshëm se të mbyllësh xhamin e makinës është thjesht një veprim prej struci që nuk i shërben askujt. Nëse do jetojmë a do mbijetojmë tashmë varet nga ne, unë, ti dhe atyre që i kemi dhënë mundësinë të na drejtojnë. Është koha të bëjmë tonën në rradhë të parë dhe të kërkojmë me ngulm masa dhe politika për të na mbrojtur nga ndotja e makinave. Është vërtetuar tashmë se përdorimi i bicikletës është shërim për qytetet që vuajnë nga kjo NDOTJE!


 Ekspozimi i fëmijëve ndaj ndotjes së ajrit sot përbën shqetësmin kryesor për shëndetin, pasi sistemi i tyre imunitar dhe mushkëritë nuk i janë zhvilluar plotësisht dhe ekspozimi ndaj ajrit të ndotur te të vegjëlit është tërësisht ndryshe nga të rriturit. Fëmijët shpesh kalojnë më shumë kohë jashtë, ku përqendrimet e ndotjes nga trafiku, janë përgjithësisht edhe më të larta.

Edhe pse ndotja e ajrit ka kohë që përbën faktorin kryesor në përkeqësimin e sëmundjeve edhe më të lehta, studimet e fundit dëshmojnë se ndotja e ajrit dhe veçanërisht ndotja e lidhur me trafikun, është e lidhur me vdekshmërinë foshnjore, zhvillimin e astmës dhe hiperalergjive.

Ndotja e ajrit është shkaku kryesor për bronkitin akut te fëmijët, për kollën kronike dhe sëmundjet e tjera të frymëmarrjes. Është e vërtetuar se në ato zona ku ndotja e ajrit është në nivele të ulëta, sëmundjet te fëmijët janë gjithashtu në rënie.

Pyetjes pse fëmijët janë më të rrezikuar se të rriturit nga ndotja e ajrit i përgjigjen disa fakte kryesore;

1.       Mbrojtjet natyrore te fëmijët janë më pak të zhvilluara.
2.       Filtrimi nëpërmjet hundës është më pak efektiv se te të rriturit.
3.       Lëkura e tyre është disa herë më e depërtueshme se te të rriturit.
4.       Sistemi i tretjes, rrugët metabolike, organet e veshkave dhe organet vitale janë ende në zhvillim.
5.       Sjellja dhe kontakti më i afërt i tyre me mjedisin.
6.       Fëmijët luajnë më afër tokës, duke u ulur përtokë dhe duke marrë kontakt me papastërtitë, pluhurin dhe toksinat përreth mjedisit.
7.       Fëmijët shpesh vënë duart e tyre, lodrat dhe sende të tjera në gojë duke shtuar disa herë mundësitë e infeksioneve.
8.       Fëmijët janë gjithashtu të varur nga të rriturit për të siguruar që mjedisi i tyre është i sigurt.
9.       Fëmijët marrin frymë, hajnë dhe pijnë më shumë në raport me masën e tyre trupore se sat ë rriturit.
1.       Për shkak të kohës së shpejtë të zhvillimit gjatë periudhës së paralindjes, sistemi i  organeve është veçanërisht i ndjeshëm ndaj efekteve negative që rezultojnë nga ndotja e mjedisit!


Organizata Botërore e Shëndetësisë deklaron se 2,4 milion persona vdesin çdo vit nga shkaqe të lidhura në mënyrë direkte me ndotjen e ajrit, 1,5 milion nga këto vdekje i atribuohet ndotjes së ajrit në vende të mbylluar, që zakonisht njihen si vendet me ajër të pastër. Gjatë një viti ka më tepër vdekje nga ndotja e ajrit se sa nga aksidentet automobilistike. 310.000 Evropianë vdesin çdo vit nga ndotja e ajrit. Agjencia e Mbrojtjes së Mjedisit në ShBA deklaron se nëse miratohen ndryshimet e propozuara nga vetë ajo në karburantet e makinave do të ketë 12.000 vdekje të parakohshme më pak, 15.000 infrakte më pak, 6.000 vizita në dhomën e emergjencave nga fëmijë ma astmë, 8.900 shtrime në spital për problem me frymëmarrjen ose aparatin frymëmarrës çdo vit.


Disa nga sëmundjet e lidhura me ajrin e ndotur janë:

Kanceri
Sëmundje zemre
Sëmundje mushkërie
Astma
Pneumonia dhe komplikacionet e saj
Bronkiti
Alergji të lidhura me frymëmarrjen
Dhimbje koke dhe migrenë